Banka e Shqipërisë vendosi të ulë interesin bazë në ekonomi me 0.25 për qind ose 25 pikë bazë të mërkurën më 3 korrik, lëvizja e parë lehtësuese që nga marsi i vitit 2022, kur shkalla e lartë e inflacionit të pas pandemisë COVID-19 detyroi shtrëngimin e politikës monetare. Para se të fillonte vala e inflacionit, interesi bazë në ekonomi ishte 0.5%, i mbajtur në këtë nivel që nga viti 2020, viti i pandemisë.

“Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare, duke synuar të krijojë kushte sa më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve,” deklaroi guvernatori Gent Sejko duke shpallur vendimmarrjen.

yacht hotel sarande

“…inflacioni pritet të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024 dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025,” shtoi ai.

Krahas uljes së normës bazë të interesit, u ul edhe depozita njëditore dhe kredia njëditore në të njëjtën masë.

Normat e interesit të bankës qendrore ndikojnë interesat e depozitave dhe kredive në të gjithë sistemin bankar, dhe në rast se çdo gjë funksionon siç duhet, kursimtarët do të duhet të pranojnë interesa më të ulëta për kursimet e veta ndërsa kredimarrësit do të përfitojnë interesa respektivisht më të ulëta, duke i lënë familjeve dhe bizneseve më shumë para në dispozicion për konsum.

Nëse ulja e interesit bazë përcillet në masën 100% te këstet e kredive, atëherë për një kredi hipotetike me vlerë 10 milionë lekë dhe me interes aktual 6% në vit, kësti mujor do të jetë afërsisht 25 euro më lirë.

Kjo gjithsesi është vetëm në nivel teorik sepse në praktikë, politika e bankës qendrore me raste funksionon dhe me raste nuk funksionon. Të dhënat nga e shkuara sugjerojnë se interesat e borxhit publik, të cilat merren si referencë për kreditë për shtëpi, që janë instrumenti kryesor i borxhit të shqiptarëve, janë rritur shumë më shpejt se sa norma bazë e interesit dhe janë reduktuar pavarësisht se norma e interesit nuk ka nryshuar.

Pavarësisht kësaj, vendimi i Bankës së Shqipërisë shënon fundin e krizës së çmimeve të larta në ekonominë shqiptare, e cila filloi rreth fundit të vitit 2021 dhe shënoi kulmin në fund të vitit 2022.

Përgjatë kësaj periudhe, çmimet e matura nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit nga INSTAT janë rritur me afro 15% për të gjithë shportën. Ushqimet janë shtrenjtuar me 30% ndërsa mallrat e tjera kanë pësuar norma më të ulëta rritjeje./Tema

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu