Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt tri pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë, Bërnjak dhe Jarinje, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga përfaqësuesit e disa shoqatave serbe, në shenjë proteste ndaj vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Rasha Rojeviq, kryetar i Shoqatës së Qytetarëve të Mitrovicës së Kosovës – njërën nga tetë shoqatat që kanë organizuar bllokadat, tha se udhëtarët e automjeteve me dokumente “vetëm kosovare nuk do të lejohen të kalojnë”, si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë javën e kaluar.
“Të gjithë ata që kanë vetëm dokumente të Kosovës nuk do të mund të kalojnë. Pse? Njerëzit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nuk mund të ngasin me leje mjeti të lëshuara nga Republika e Serbisë. Kjo është thjesht një përgjigje e njëjtë me mënyrën se si [Kryeministri i Kosovës Albin] vepron në Kosovë”, tha Rojeviq.
“Nëse ai [Kurti] tha se nuk do të ketë tregti mallrash, atëherë transporti, përfshirë kamionët e ngarkesave, nuk do të mund të kalojnë”, shtoi ai, duke iu referuar vendimit të vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave serbe.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdarë.
Në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar në Jarinje, gazetarja e Radios Evropa e Lirë tha se situata është e qetë dhe se automjete kryesisht me targa serbe shihen duke kaluar kufirin në të dyja anët.
gazetarit të REL-it në pjesën serbe të kufirit në Merdarë, veturat me targa serbe mund të kalojnë pa telashe, ndërsa ato me targa të Kosovës po ndalohen dhe kontrollohen për të parë nëse kanë dokumente serbe.
Por, kamionët janë duke u ndaluar pavarësisht se a kanë targa të Serbisë apo të Kosovës, sipas tij.
Pika kufitare në Merdarë mes Kosovës dhe Serbisë.
Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga këto organizata në Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për cfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.
Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.
Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh./REL
yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu