Nga Edison YPI

Karipllarin e kam njohur te kafe “Fideli” ku mes zhurmave, tymrave, tollovirave tranzicionale, pinim kafe dhe llafoseshim duke bërtitur e duke qeshur me budallallëkun e kallaballëkut.

yacht hotel sarande

Karipllari dhe një miku i tij më dëgjonin mendueshëm teksa u flisja për demokracinë, lirinë, qytetarinë, komunitetin, edukatën, etikën, mirsjelljen, jetën urbane, Artin, Letërsinë.

I thoja aso kohe auditorit tim të zgjedhur me vetëm dy studentë: Mund të bëhem pronar, për shembull, i një kafeneje. Por nuk do ndodhi kurrë. Nuk ja sjell Beu kafen plebeut. Hyzmeqari ja sjell kafen Beut.

Dëgjoja i mahnitur Karipllarin kur llafosej për fshatin nga sapo kishte zbarkuar: Balta, mizat, mickonjat, vajtjet në mal për dru me kalë, kthimet e lodhëshme, gjymi me ujë varur në çengel mbi zjarr, lopa e sëmurë, viçi i porsalindur, drutë për dimër, zahireja, pastërmaja, mullarët e barit, e të tjera mrekullira bukolike.

Te Karipllari dhe tjetri, të dy seriozë dhe të vendosur për ta përmirësuar jetën duke punuar sa më tepër, shihja përfaqësuesit tipikë të atyre që do ndërtonin të ardhmen e vet dhe të vendit sapo dalë nga tmerret e Diktaturës.

Karipllari dhe tjetri më konsideronin mua si një lloj recepsionisti në paradhomën e metropolit, prej të cilit duhej të merrnin çelsat e dhomave të epërme të kryeqytetit, ku me guxim dhe vendosmëri do hidhnin hapat e para drejt suksesit, pra krejt ndryshe nga moshtarët e tyre që uleshin për kafe dhe s’kishte vinç t’i ngrinte pa kaluar të paktën nja tre a katër orë.

Vazhdova të pi kafe me dy miqtë e rinj duke çmuar distancën që mbanin dhe refuzimin që ata u bënin jetës së kollajtë, snobave, snobizmit, llapazanave, mburravecave që vetëm marrin dhe nuk japin.

Te “Fideli”, Karipllari ishte i vetmi që nuk e fshihte katunarllikun. Ndjehej rehat në identitetin katundaresk, të cilin identitet, mirë bënte që nuk e shpallte as nuk e fshihte.

Karipllari nuk ishte katundar për një apo dy apo tre arsye.

Karipllari ishte katundar në gjithçka. Karipllari ishte katundar nga koka te këmbët. Në të ndejtur, në të ecur, në të folur. Karipllari ishte një superkatundar. Karipllari ishte një katundar që i kishte brenda vetes të gjithë katundarët dhe të gjitha katundarizmat e botës. Pse të lodhesha ta kënaq kureshtjen mbi katundarët dhe katundarizmin duke pirë kafe me të gjithë katundarët ?

Ja ku kam njërin që i përfaqson të gjithë. Katundarin e përsosur. Fshatarin e pavdekshëm. Karipllarin e madhërishëm.

Mes pordhëve dhe piskamave, te “Fideli” nisën të çfaqen dallandyshet e para të katastrofave të ardhëshme mediatike, politike, ekonomike. Ca bërthama apo ca vatra me në krye ca ambiciozë të paaftë të patalentuar që përpiqeshin, dhe ja arrinin, të binin në sy duke mbushur boshin me bosh. Kryesisht me prejardhje komuniste, bij dhe nipa nomenklaturistësh. Tek-tuk edhe nga oxhaqe bejlerësh pasunarë të persekutuar dhe çpronësuar. Ishin ata që sot e hedhin në tavan, ata katër a pesë që dihet cilët janë, dhe krrupë ndjej emrat tua shkruaj. Sa i përket refuzimit ndaj kësaj murtaje që u çfaq në horizont, unë, Karipllari dhe tjetri, fillimisht qemë në një mendje, dhe shtrënguam rradhët.

Pati, fatkeqësisht, edhe episode të tilla: Duke më parë në tavolinë me Karipllarin dhe tjetrin, më thoshin me zë të lartë dhe ton përçmues:
Me këta bajga rri akoma ti? Nuk ua vija veshin.

Por disa plasaritje nisën të duken në horizont. Për shembull, kur flisja me zjarr për Kadarenë, Karipllari disa herë ma ngriu gjakun: E mo se Kadarea një kopjac është, thoshte Karipllari, të gjitha i ka të kopjuara nga Markezi.

Katundari Karipllari, pa i lëvizur qerpiku, shqiptonte diçka aq të padenjë, aq të fëlliqt për gjeniun tonë, saqë unë nuk do guxoja as ta mendoja. Megjithatë, në mbrojtje të ekuilibrit të tij psiqik, nuk ja mora për të madhe.

Vazhduam të talleshim e të qeshnim me kronistat, opinionistat, analistat, reportazhistat, redaktorët trukokallë, e të tjerë e të tjerë, pa ua ndarë këshillat apo sugjerime mbi mirsjelljen, vetpërmbajtjen, tekstin e përsosur në përmbajtje dhe tingull, fjalët e kursyera, shmagjen e diarreve verbale, dhe, me theks të veçantë, refuzimin e rreptë të pasurimit të shpejtë dhe abuziv, si rreziku më i madh ndaj vetes, shoqërisë, vendit, humanizmit, profesionalizmit, ardhmërisë, vlerave njerzore, dhe gjithçkaje.

Një mbrëmje me shi pasi u zhdëpëm me patate të skuqura, salc kosi dhe birrë, dolëm duke gromësitur nga një kioskë mbi lanë, na thanë se kishin vrarë Azem Hajdarin. S’na bëri asnjë përshtypje. Na u duk po aq e natyrshme sa shiu i imët i shtatorit që binte pa u ndalur. Madje, nëse kujtesa s’më gënjen, mu duk se të tre këmbyem nga një buzëqeshje kuptimplote. Ndoshta urtësitë e mia mbi rrezikun e rrugaçërisë, hajdutllëkut, banditizmit, te miqtë e mi katundarë kishin zënë vend, ishin mirkuptuar.

Një herë Karipllarit i bëra një goxha nder. Nga mënyra si i shihte femrat, vura se Karipllari po vuante nga virgjëria e zgjatur. Mu dhims. I thash njërës nga ato:
-Aman çliroje pak se po i shpërthen sperma nga veshët.
-Pa merak, tha ustallesha, betohem në nderin tim se nuk do e lejoj të martohet i virgjër.
Pas disa ditësh Karipllari u çfaq shendeverë, më i zhdërvjellët se kurrë, gati për martesë.

Një herë tjetër Karipllari më tregoi garsonierën ku jetonte. Ç’të shihje. Katua e tëra. Gjithandej kakërdhia. Dele dhe cjepër duke u dridhur nga frika sikur të isha unë kasapi që pas pak do i therja.

Ndërkohë që koha kalonte, vura re një rrëshqitje, një ikje, një shkurtim distance me snobat, snobizmin, OJF-të që kishin nisur të gëlonin. Jepnin e merrnin me këmbë e me duar, për shembull, me një deputet. Kur pas ca kohësh, një ditë, Karipllari, pa e pyetur, më tha se deputeti e ndihmoi në përshpejtimin e aprovimit të një ligji, falë të cilit, Karipllari dhe tjetri nuk e kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Më mbeti fryma.

Katundar çunak që përdhos tempullin e pluralizmit si ndonjë mafioz regjur. Karipllari nisi të më çfaqej i pa skrupull, pa masë, pa pengesë, pa prag, pa kufij, pa etikë, pa moral.
Kaluan vite.

Përmes një manovre të errët, Karipllari u bë sebep që, edhe pse autori më i lexuar, u largova nga gazeta Panorama.

Këshillat e mia për mirsjellje, mos tundimi ndaj pasurimit të shpejtë etj pangapak i mori lumi.Ndërkohë që unë moralisti badiava mbeta me biberon në gojë, Karipllar katundari sot është me vila, udhëtime të shtrenjta nëpër vendet më trendy dhe më ekzotike, sa po bën lëmsh botën, po ngatërron Vatikanin me Skraparin, Luksemburgun me shtetin e Baba Mondit.

Vonë kuptova thelbin e hiles së Karipllarit.

Karipllari, nga njëra anë më dëgjonte me vëmendje mua për të marrë prej meje sekretet si të mbetej i varfër, nga ana tjetër, tinëz meje, ndiqte dhe zbatonte mënyrat e pasurimit abuziv përmes lëpirjeve dhe servilizmave të snobave, llapaqenave, kokboshave, atyre që vite të shkuara Karipllarin e cilësonin bajgë.

Kështu kaloi jeta e Karipllarit duke lëpirë bythat e eprorëve deri në llamburitje.

Tani që s’ka më kafe “Fidel”, as përbetime të miat për të mos u bërë kurrë pronar, s’është çudi, po ata që Karipllarin e atëhershëm e cilësonin bajgë, po i thonë Karipllarit të sotëm të udhëtimeve nëpër ishuj ekzotikë të mos merret me mua që mbeta gjith jetën lakuriq me duar në xhepa.

Predikimet për qytetari, respekt, humanizëm u bënë pluhur e hi. Karipllarit të preokupuar vetëm për servilizma ekstreme, as i bie në men për të tilla.

Karipllari i sotëm, ai që çoku zhgarraviste ndonjë kronikë, sot duhet ti kthehet Abetares për të mësuar Alfabetin. Ka harruar të shkruaj, të flasi, të pyesi, të përgjigjet. Nuk ka dijeni për gjëra serioze ose joserioze, të rëndësishme apo të parëndësishme.

E vetmja gjë serioze dhe e rëndësishme për Karipllarin e sotëm është rrethi i brimës së bythës së shefit, eprorit, pronarit, që duhet lëpirë me gjuhë të zgjatur në thellësi.
Karipllari i sotëm ka mbetur si mos o Zot.

Një viktimë e kohës sonë.

Një hije.

Një pupac që e ftojnë nëpër banaqe për lolo.

Një gaztor që s’i duhet as Dreqit.

Një llapazan i padobishëm. Një manekin i krehur. Një tarallak i shëndetshëm.

Një kufomë e qeshur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu