Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qyterar, është ndalur te ngjarjet e 2 korrikut 1990, ku shqiptarët u dyndën drejt ambasadave perëndimore, duke sfiduar regjimin i cili edhe pse ishte në gamat e fundit, sërish ishte i rrezikshëm dhe merrte jetë. ‘Në historinë e lirisë, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Në fjalën e tij, kryedemokrati, Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që mblidhen në protestën e 11 korrikut në Tiranë dhe të ngrihen kundër regjimit të Edi Ramës. ‘Me 11 korrik, të gjithë në Tiranë! Të ngrihemi në një betejë kundër këtij regjimi që po boshatis Shqipërinë’, theksoi Berisha në protestën maratonë që zhvillohet poshtë banesës së tij.

yacht hotel sarande

Duke folur për qytetarët, lideri i opozitës Sali Berisha i është rikthyer skandalit në shëndetësi, ku sipas tij përgjegjësit kryesorë të gjendjes së mjerueshme janë Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqaj. ‘Rama, Manastirliu, Beqja janë përgjegjës direkt me vjedhjet e tyre për vdekjen e mijëra e mijëra shqiptarëve’, tha Berisha gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta e 11 korrikut do i japë mësimin më të madh diktaturës së Edi Ramës. ‘11 korriku është dita në të cilën qytetarët do i japin mësimin më të madh diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjes’, u shpreh Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Në historinë e lirisë, të përpjekjeve të kombit shqiptar, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar.

Me 2 korrik të vitit 1990, në një kohë kur diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës në vendet e Europës ish-komuniste, në Shqipëri vazhdonte diktatura, e cila gjatë ditës fliste për demokraci, por në kufijtë e vendit ekzekutonte të rinjtë çdo javë dhe jo vetëm i ekzekutonte, por zvarriste trupat pa jetë të tyre në rrugët e qyteteve të vendit për të mbjellur terror te popullata.

Në këto kushte, kur Shqipëria dukej tërësisht e harruar, kur në arenën ndërkombëtare flitej që të mbetet Shqipëria si Kuba e Adriatikut, kur në të vërtetë në tërësi nuk parashikonte njeri ndryshimin, të rinjtë, kryesisht punëtorët e Tiranës, por edhe të përndjekurit politikë dhe intelektualë mendonin ndryshe.

Me guxim epik, ata përsëritën por në kushte të një rreziku shumë e shumë herë më të madh, atë skenar që gjermano-lindorët përsëritën në ambasadat gjermane në Çekosllovaki dhe Hungari.

Pra, ata përmbysën Perden e Hekurt në Tiranë, përmbysën Murin e Berlinit dhe hynë si heronj të vërtetë çlirimtarë në ambasadat e vendeve perëndimore.

Ky ishte një akt heroizmi të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre mund të binte tek kalonte murin e ambasadës nga breshëritë e policisë sekrete shqiptare apo forcave të tjera të sigurisë.

Por kjo nuk i pengoi ata. Me mijëra prej tyre mbushën oborret dhe ndërtesat e përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha ndërtesën e ambasadës gjermane, ambasadori i të cilit u dëshmua një mik i madh i lirisë së shqiptarëve, Verner Daum.

Ky diplomat nuk mendonte se Shqipëria duhej të mbetej Kuba e Adriatikut. Ai mendonte se shqiptarët duhet të ndihmoheshin që të përmbysnin diktaturën e tyre komuniste.

Miqtë e mi!

Kanë kaluar 34 vjet nga ajo ditë dhe mësimi më i madh prej asaj dite është se para guximit të të rinjve shqiptarë nuk ka mur, nuk ka barrierë, nuk ka forcë në botë që mund të rezistojë.

Ndaj dhe ajo ditë e kryengritjes paqësore të të rinjve të Tiranës, le të jetë një ditë frymëzimi për të rinjtë e sotëm dhe të gjithë shqiptarët, të ngrihemi në një betejë kundër këtij regjimi, i cili në mënyrën më të pamëshirë, më antishqiptare po boshatis Shqipërinë.

Po kryen gjenocid me largimin me kushte të llogaritura të shqiptarëve.

Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë të mbrohet nga bijtë dhe bijat e saj.

Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë të kthehet shpresa në tokën e saj.

Miqtë e mi!

Nga viti 2014 deri në vitin 2022, në 8 vite, sipas Eurostat, statistikave britanike dhe të SHBA, nga Shqipëria janë larguar 37.8 përqind e shqiptarëve.

Në qoftë se i shtojmë kësaj shifre shqiptarët e larguar për në Lindjen e Mesme, Norvegji, Zvicër, Kanada, Australi dhe vende të tjera, ju garantoj se kjo shkon në 40 përqind.

Kjo është boshatisje e tmerrshme e kombit. Ky është shkatërrim me shpejtësi të rrufeshme.

Ndaj o sot o kurrë, t’i dalim zot këtij vendi.

Me 11 korrik, të gjithë në Tiranë, ku jemi e nuk jemi, në betejë me narkoshtetin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu