Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në takimin e hapur me grupin e dytë të aplikantëve në platformën digjitale, si një mirëseardhje inkurajuese dhe ftesë për të gjithë të tjerët që dëshirojnë të aplikojnë.

Ja fjala e tij e plotë:

yacht hotel sarande

Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur sot këtu në shtëpinë tonë të madhe të Partisë Socialiste. Duke ardhur, përpara se të dëgjoja fjalët tuaja, më çoi dikush këtë fotografi.

 

Ky është një zjarr siç e shihni dhe është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, – për t’u ulur në ato karrige dhe përfaqësuar ata që i çojnë atje, – në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate.

 

Pse e solla këtu këtë imazh?

 

E solla këtu sepse dua të them pak fjalë për politikën e cila prej shumë kohësh, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara, kalon ditë jo të mira në perceptimin publik dhe në të vërtetë është një mjet që ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por ka bërë edhe katastrofa jashtëzakonisht të mëdha.

 

Refuzimi i politikës apriori, si diçka e keqe, si diçka e pistë, si diçka me të cilën më e mira është të mos ngatërrohesh, është foshnjarak, sepse është e pamundur që ta vendosësh ti se çfarë politika bën apo nuk bën me ty.

 

Ti mund të vendosësh vetëm sesa mund ti ta ndikosh politikën, duke u marrë me të, por në rast se ti i kthen kurrizin, në rast se ti refuzon të merresh me të, ajo ka të gjithë pushtetin që të merret me ty. Çdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë në ndërveprimet tona mes njerëzish, në në mënyrë ose në mënyrë tjetër lidhet me politikën dhe me vendimet e saj.

 

Por edhe brenda shtëpisë, shumëçka lidhet sërish me politikën dhe vendimet e saj dhe qoftë jeta brenda, qoftë jeta jashtë shtëpisë dhe mbi të gjitha bashkëjetesa mes nesh, janë në radhë të parë rezultat i politikës dhe i sa politika është në gjendje që cilësinë e jetës sonë, cilësinë e bashkëjetesës sonë, ta ngrejë më lart.

 

Politika ka një fuqi ndërtuese të jashtëzakonshme, të pakonkurrueshme.

 

Dëgjova kandidatin që ka ardhur nga SHBA. SHBA nuk do ekzistonin nëse nuk do të ekzistonte politika. BE-në e ka krijuar politika.

 

Politika ka krijuar të gjitha ato gjëra që sot konsiderohen si arritje të njerëzimit në aspektin e lirive, të drejtave të njeriut, të institucioneve që mbështesin veprimtarinë shoqërore,  e kështu më radhë.

 

Pa politikë s’ka shtet, pa shtet është xhungël.

 

Por natyrisht që nga ana tjetër, siç ka fuqinë e jashtëzakonshme të ndërtojë, politika ka edhe fuqinë demoniake që të shkatërrojë.

 

Siç ka fuqinë e jashtëzakonshme të shërojë përmes proceseve dhe vendimeve dhe vullnetit të vet në zbatimin e tyre, politika ka fuqinë djallëzore të plagosë, të dërrmojë, të sakatojë.

 

Siç ka fuqinë të mbjellë, ka edhe fuqinë të shfarosë dhe unë besoj që midis këtyre dy pamjeve, se kuptohet jo absolute, relative, qëndron edhe ndarja sot këtu tek ne midis nesh, që përpiqemi të ndërtojmë, që përpiqemi të shërojmë, që përpiqemi të mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojnë, plagosin, shkulin, djegin.

 

Do të duhej një histori e gjatë për të treguar si e qysh është ndarë kështu politika në Shqipëri dhe si e qysh është vendosur kështu një ekuilibër që përgjithësisht e ka penguar Shqipërinë që të bëjë aq sa Shqipëria do të mund të kishte bërë, nëse ky ekuilibër do të ishte më i shëndetshëm dhe nëse ky ekuilibër do të vendosej mes forcash që janë në njërën anë; në anën e ndërtimit, në anën e shërimit, në anën e mbjelljes dhe të kultivimit dhe jo në anën e shkatërrimit, të plagosjes edhe të shkuljes e të djegies.

 

Mirëpo kështu është dhe duke qenë kështu, Shqipëria ka humbur shumë kohë.

 

Kaq e vërtetë është kjo sa nëse reformat që ne i kemi ndërmarrë pothuajse 25 vjet pas fillimit të të jetuarit tonë në liri, të ishin ndërmarrë, jo 25 vjet më mbrapa, por 10, 15 edhe 20, sot do të ishim ende shumë më përpara.

 

Nga ana tjetër, është jashtëzakonisht e vështirë të merresh me politikë dhe për këtë arsye unë dua t’ju përgëzoj edhe me pak atë papërgjegjshmërinë organike e natyrale të një njeriu në moshë të re, ju e keni hedhur këtë  hap duke marrë përsipër të provoni të hyni në një arenë ku ka shumë baltë dhe jam i bindur që nëse ju ktheni kokën rreth e rrotull në tavolinat ku uleni me familjen, me miq e të tjerë, shumica nuk do t’ju thotë “bravo, a sa mirë shkove atje’’. “Të ka lënë mendja të merresh me ata horra, hajdutë, kriminelë, të droguar, etj”. Fatkeqësisht ky është një perceptim që është dominant mbi të gjitha nga njerëz që në fakt kanë marrë më shumë nga ky vend dhe duhet të japin më shumë. Nuk është një perceptim dominant  tek shumica e njerëzve të zakonshëm që përpiqen në të përditshmen e tyre të arrijnë më lehtë fundin e muajit.

 

Patjetër që edhe ata kanë shumë paragjykime për politikën, por  në fund janë ata që bëjnë prej kaq shumë kohësh këtë vlerësim, që na mban ne në krye të detyrës për shkak të atyre që kemi bërë dhe për asnjë arsye tjetër, pavarësisht se përpjekja e anës tjetër është që të thotë, që e gjitha kjo është e lidhur me të tëra të zezat e kësaj bote, por vetëm jo me ndonjë meritë apo ndonjë punë tonën dhe jo 10 milionë turistë të sjellësh në një vend ku ne nisëm këtë rrugëtim kaq të vështirë, turizmi ishte një nga sektorët, si gjithë sektorët shumë të prapambetur dhe as krahasohej fare me vendet e tjera, po 100 milion të sjellësh prapë ata që janë vendosur në atë pozicion dhe prej kaq shumë vitesh përsërisin të njëjtën gjë me një shpresë prej budallai që mund të marrin një rezultat tjetër do vazhdojnë të përsërisin po këtë gjë dhe do të marrin po atë rezultat, por ama kur shikon të shkuarën e këtyre viteve, ka disa gjëra që janë aty dhe flasin vet. Flet vete fakti që ne kemi qenë një vend me 3300 euro për frymë, sot jemi një vend me 9300 euro për frymë. Pra e kemi trefishuar dhe ky trefishim nuk është diçka që ne mund të të themi – Çohuni o shqiptar tani duartrokisni dhe jetoni të lumtur, por ama është diçka që flet për një rrugë transformimi që është shprehur në pasqyrën e këtij territori ku ne jetojmë, flas për rajonin tonë.

Kur ne nisëm detyrën, ne kishim faktikisht të gjitha vendet e rajonit përveç Kosovës, para nesh për në të ardhura për frymë dhe këto nuk janë të miat, po të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa sot ne kemi përpara nesh vetëm Malin e  Zi dhe Serbinë që kanë respektivisht  11600, 11300 euro për frymë dhe ne jemi në shifrën që sapo ju thashë me rreth 9300 euro për frymë.

Ne kur morëm detyrën paga minimale në Shqipëri ishte 156 euro, sot është 400 euro. Paga mesatare në Shqipëri e përgjithshmja e të gjithëve ishte 321 sot është 750 të kombinuara bashkë, paga mesatare në sektorin publik sot është 900 euro, po ka edhe pagë si për shembull për mësuesit që është 950 euro apo për ndonjë kategori tjetër. Pse na duhen këto? Këto nuk na duhen që ne, e thashë të ulemi dhe të shijojmë pamjen e Shqipërisë që kemi ndërtuar. Këto na duhen që ne të kuptojmë se sa shumë kohë është humbur më parë, se s’kishim pse të ishim aq mbrapa nga të tjerët më parë dhe na duhet për të kuptuar sa shumë më tepër mund të bëjmë ne më përpara. Sepse sot kemi një eksperiencë që nuk e kishim, sot kemi një pozicion të vendit që nuk e kishim; qoftë një pozicion të brendshëm ekonomik ku jemi në kushtet ku mund të fillojmë realisht të bëjmë jo të flasim, se për të folur flasin të gjithë dhe sidomos ata që s’kanë asgjë në dorë flasin edhe më shumë, se s’ka për t’iu ardhur ndonjëherë rasti ta vënë në provë atë që thonë edhe e kanë kollaj, të bëjmë një ekonomi gjithëpërfshirëse ku siç ka filluar një pjesë e shoqërisë të marrë nga kjo rritje ekonomike të ardhura të shtuara edhe të gjitha pjesët e tjera duke shkuar deri te pensionistët që janë pjesa më e madhe por edhe pjesa që ende sot është jashtë rrethit të rritjes gjithëpërfshirëse, pjesën e tyre.

Ne kemi pasur një ekonomi me 2.8 miliard euro eksporte, sot kemi një ekonomi me rreth 8.5 miliard euro eksporte, prape janë pak. Dhe të gjitha këto që thashë prapë janë pak, prapë janë pak, prapë janë pak, por ama janë shumë për të na dhënë ne të gjitha arsyet që të kërkojmë shumë më tepër dhe prandaj unë e përsëris gjithmonë: Shqipëria sot, kjo që kemi me atë që kishim kur nisëm rrugën është dita me natën. Ndërsa Shqipëria që unë dua që së bashku ne të kemi në 2030 është “dita diell plotë” krahasuar me këtë që është një Shqipëri në agim dhe “dita diell plotë” do të vijë kur Shqipëria të ulet ne tryezën e Bashkimit Europian si një vend, shtet i barabartë mes të barabartëve dhe të mbarojë përgjithmonë zinxhiri i një mallkimi historik që na ka lënë gjithmonë ose komplet jashtë rrugëve të zhvillimit për shkak të të gjitha pushteteve të huaja apo  të brendshme të imponuara mbi ne ose na kanë lënë shumë mbarpa në rrugën e zhvillimit për shkak të paaftësisë sonë për të bërë më të mirën duke nxjerrë më të mirën prej nesh. Nuk po hyj në të tjera shifra e detaje, se shifrat përgjithësisht janë të bezdisshme, por ajo që ka vlerë në shifrat që përmenda është që këto nuk janë shifra që thjeshtë shihen nga larg, këto janë shifra që gjithsekush që i dëgjon mund ti konstatojë nga  afër te vetja e vet, te familja e vet, te puna e vet në një pjesë të madhe duke përjashtuar pensionistët për të cilët kemi detyrimin e madh që të bëjmë një hap të rëndësishëm më tutje.

Po kthehem te ju. Platforma nuk është një mjet propagandistik nuk është asnjë humbje kohe për ne, se kohë për të humbur s’kemi, por është një mënyrë që ne kemi gjetur për të kapërcyer murin që vazhdon ta ndajë Partinë Socialiste me shoqërinë kur vjen puna të angazhimi i drejtpërdrejtë i njerëzve që mund të mos jenë pjesë e Partisë Socialiste, por që dëshirojnë të jenë pjesë e Partisë Socialiste. Që mund mos të kenë, jo vetëm lidhje dhe ato dyert e duhura për të hapur me mbiemrin, me krushqinë, me historinë familjare me ku di unë të gjitha këto tjerat, por që kanë pasionin dhe kanë të drejtën që ta konsiderojnë Partinë Socialiste një mjet edhe të tyrin. Kur unë pata thënë shumë, shumë vite më përpara që partia është mjet nuk është qëllim; Mu hodhën të gjithë në fyt. Në momentin që ti bën partinë qëllim atëherë asgjë nuk shkon mirë, por në momentin kur ti e kupton partisë si mjet atëherë ti je në gjendje që ta vesh në dispozicion të sa më shumë njerëzve, sepse sa më shumë njerëz të duhur ta përdorin këtë mjet aq më e mirë do jetë politika e saj, varet nga duart.  Politika po ra në duart të mira bën punë të mira, patjetër që bën edhe gabime, patjetër që mund të bëjë edhe dëme, por jo dëme të qëllimshme, por dëme që vijnë si rezultat i një vendimi të gabuar, se në fund të fundit politika është vendimmarrje, ti do marrësh vendime dhe vendimet deri kur merren dhe shihen se çfarë efekti kanë nuk kanë para shikueshmëri 100%. Sa më të vështira të jenë, aq më shumë e fortë është dilema duhet marrë kështu apo duhet marrë ashtu. Dhe sa më shumë njerëz me mend, me pasion, me idealizëm për vendin, për punën, me ambicie, patjetër dhe me ambicie për t’ia dalë me sukses të jenë të përfshirë aq më shumë vendimmarrja është rezultat i një procesi të shëndetshëm. Sa më pak njerëz me mend, me dashuri për vendin, me sens përgjegjësie për detyrën, me sens borxhi për njerëzit që e kanë zgjedhur, me një sens ambicie që nuk është qorre deri në pikën që kjo karrige është e imja dhe unë i vë flaken po të dua vetë, por këtë karrige ta harroj se ma merr njeri, aq më keq shkon puna. Dhe ne këtu i kemi të dyja pamjet.

Janë bërë një numër shumë i madh aplikimesh për hir të së vërtetës, nuk ka qenë ky rasti në herën e parë. Ne e filluam platformën si një përpjekje të parë para 4 vitesh. Bora është produkti shembullor i platformën dhe për faktin që nuk u bë deputete por ja ku është këtu sot. Se natyrisht ne kemi aktualisht sot 380 aplikantë dhe sikur të gjithë të ishin të shkëlqyer nuk ka vend për 380 deputet. Por ama unë e konsideroj këtë si një hap për tu marrë me politikë në një nivel tjetër. Dhe marrja me politikë në një nivel tjetër kalon nëpërmjet shumë shtigjesh që janë shtigje që lidhen me shumë rrethana dhe me shumë momente në rrugën e çdo njeriu, por ama kush është i vendosur për ta ndjekur këtë rrugë dhe është i gatshëm të paguajë çmimin dhe çmimi nuk është i ulët, është i lartë. Është shumë i lartë dhe është aq shumë i pashpjegueshëm dhe e kuptoj shumë mirë, dhe i pakuptueshëm për njerëzit që mendojnë që këta njerëz merren me punët e veta, shohin qejfet e veta, s’kanë fare lidhje, s’është fare kështu.

Patjetër ka dhe të tillë plot, nuk diskutohet, por ka plot të tjerë që janë arsyeja pse ne kemi arritur këto rezultate dhe pse ne mund të arrijmë rezultate shumë më domethënëse akoma. Dhe sot edhe po të shikosh, unë skam parë në detaje, por po të shikosh në gamën e aplikimeve, po të shikosh në profilet, ka një Shqipëri që është jashtë kësaj zonës së protagonzimit politik, mediatik, një Shqipëri njerëzish si shumë nga ju këtu, s’po them të gjithë se pastaj duket sikur bëj një përgjithësim të pa saktë, që është një Shqipëri në jetën e vetë, në karrierat e veta, në studimet e veta, në shpresat, në ambiciet, në zhgënjimet e veta dhe kjo Shqipëri ka nevojë që të ketë mundësinë e përfaqësimit. Dhe nga ana tjetër, unë besoj që PS sot si një parti që është e vetmja parti politike reale në Shqipëri, është partia më e madhe shqiptare historikisht dhe kur them historikisht nuk kam parasysh atë tjetrën, kam parasysh gjithë periudhën e pluralizmit, qoftë këtu qoftë në të tjera zona ku janë shqiptarët. Ka një peshë shumë të madhe për të garantuar vazhdimësinë dhe për të garantuar ndryshimin e gjeneratave. Sot gjenerata që ka meritat dhe përgjegjësitë dhe për çfarë nuk ka shkuar mirë në këto vite, është një gjeneratë që dominohet nga ata të cilët ishin si ju ose mbase disa dhe me të rinj se disa nga ju këtu, në vitet pas largimit të PS nga qeveria në 2005 dhe në 8 vite të opozitës. Dhe sot është shumë e qartë që sot ne kemi nevojë për të filluar një transfuzion të ri të gjakut, kemi nevojë për të filluar një ndryshim dhe një kalim të ri të stafetës duke filluar t’i japim mundësi një gjenerate tjetër, por jo tjetër në moshë thjesht, por tjetër edhe në përmbajtje, tjetër edhe në brumë. E brumosur jo vetëm ne rrugën brenda PS sepse këtu janë të lirë të gjithë, edhe ata që janë brenda PS që të thonë ‘çfarë kanë më shumë këta të tjerët se dua të jem unë në vend të tyre’, por edhe Shqipëria jashtë rrugës së PS.

Këtu nuk bëhet fjalë për një klub ku mund të vish të ulesh dhe pastaj të thuash “unë kam menu-në time’. Këtu bëhet fjalë për një familje politike, këtu bëhet fjalë për një vëllazëri ku njerëzit kanë profile, natyra, ide të ndryshme, por në fund të gjithë i japin lopatave të kësaj varke të madhe ose anije të madhe në një drejtim. Dhe kjo kërkon patjetër një sens përkatësie që rritet sigurisht hap pas hapi që nga momenti kur juve ju jepet mundësia që të përfshiheni duke filluar menjëherë. Se ky nuk është një aplikim për në universitet, nuk është as një aplikim për punë, ky është një aplikim për tu rreshtuar në një forcë politike, për tu rreshtuar në një skuadër që është në betejë, për tu rreshtuar në një organizëm që është një organizëm që jeton me betejën, që jeton me sfidat. Që do të thotë për të hyrë në një punë ti bën një intervistë edhe të zgjedhin ose nuk të zgjedhin dhe ulesh dhe zë vendin e punës ose nuk e zë. Ndërsa për të hyrë këtu duhet betejë. Dhe çfarë beteje? Duhet betejë për tu spikatur. Platforma është mundësia për të thënë ‘ja kush jam’ dhe tani është faza për tu spikatur sepse si do të zgjedhim ne mes jush? Do zgjedhim duke parë sa bukur flisni? Nuk mjafton! Do zgjedhim duke parë që nuk flisni bukur? Nuk ka rëndësi. Deputetet nuk janë në asnjë vend të botës të gjithë oratorë, një pjesë janë oratorë, një pjesë tjetër që nënçmohet shumë, nënçmohet shumë sidomos nga këta “këngëtarët” e klubeve të natës politike, nuk flet, por bën shumë punë të tjera atje te komuniteti se në fund të ditës puna e deputetit është atje. Dhe unë po ju them që në atë grup parlamentar të PS sot dhe më parë ka një sërë njerëzish që kanë në adresarin e tyre të telefonit numrat e gjithë spitaleve, gjithë urgjencave, gjithë doktorëve të Shqipërisë, por jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë.

Për çfarë iu duhen? Nuk janë të sëmurë vet, për të ndihmuar njerëzit. E jap si shembull, gjë që bëjnë deputetët në të gjithë botën.

Spikatja do të thotë çfarë vlere të shtuar sjell. Ju keni parë besoj djem e vajza, të rinj e të reja që dalin në televizor dhe thua “Po pse more”. E keni parë Borën. Bora u bë e famshme sepse u bë meme në fillim, sepse është një arenë që është e pamëshirshme dhe që nuk mund ta mësosh dot sesi të qëndrosh dhe sesi të futesh të betejë e sesi të fitosh, nëse nuk ke goditjet, rrëzimet, zhgënjimet e hidhërimet e tua. Ama në këtë proces ju duhet të kini parasysh që ju takon juve tani që të spikasni kudo ku jeni; disa janë në komunitet, disa janë në komunitet e tyre profesionale, disa janë jashtë. Ne tani kemi dhe votën e diasporës, por përtej kësaj, janë rrjetet sociale ku secili mund të spikasë duke thënë “Ja kush jam unë e ja çfarë di të bëj” dhe jo vetëm çfarë di të bëj me fjalë, por dhe sa njerëz mund të mbledh. Pra, për të krijuar fuqi sepse në fund të ditës deputeti duhet të sjellë me vete të tjerë. Ky është thelbi. Duhet të ketë fuqinë për përveç votës së tij dhe të shtëpisë së tij, të sjellë dhe një numër të caktuar të tjerësh që i shtohet të gjithë forcës së përbashkët të të gjithëve.

 

Nuk po ju them asnjë gjë që nuk e dini, por thjesht dua t’ju them që ky do të jetë një proces.

 

Aplikimet do t’i mbajmë të hapura sepse ka një interesim shumë të madh. Avantazhi i atyre që vijnë më përpara është që kanë më shumë kohë për ta treguar veten në të gjithë drejtimet dhe për t’u lidhur me Partinë Socialiste në territor.

 

Patjetër që nuk do të jetë e lehtë, po jua them që tani shumë thjeshtë atyre që nuk e kanë provuar, ai djali nga Laçi jam i sigurt që e di shumë mirë që nuk është e lehtë, për t’u lidhur, për të thënë “Unë jam këtu”. Dikush do t’ia përplasë derën në fytyrë do të thotë “Ik more vëlla, të gënjen mendja që shkove tek platforma digjitale e atij të gjatit dhe do bëhesh deputet. Do të ta thotë. Varet nga ti. E besove që është ashtu siç thotë ai? Nuk je për këtë punë, më mirë, po të bën nderin më të madh, lëre mos u merr me këtë punë. Nuk e besove që është ashtu siç thotë ai? Aty fillo e kupto që je për këtë punë vetëm duhet të rezistosh dhe do ta ndërtosh gjënë tënde në një mënyrë si të ta japë terreni.

 

Ne nuk ia shtrojmë askujt qilimin e kuq. Ne të gjithëve do t’u japim të gjithë ndihmën, skuadra që merret me këtë punë është e mirëtrajnuar në eksperiencë për t’ju thënë se çfarë mund të bëni, sesi mund ta bëni, ku, qysh, tek, pastaj jeni ju që duhet të gjeni rrugën për të spikatur.

 

E fundit që kam është se në të gjitha rastet, cilido nga ata që do të luftojë me ne sadopak në këtë rrugë drejt zgjedhjeve të ardhshme do të jenë pjesë e jona në vijim. Ne kemi disa raste konkrete të platformës së vitit 2021 që nuk u bënë deputetë, ka dhe që janë bërë deputetë, por ka dhe që nuk janë bërë deputetë dhe që janë në pozicione të caktuara, që kanë marrë përgjegjësi të caktuara sepse dinë ta bëjnë atë punë dhe që nuk do t’i vinte radha asnjëherë nëse nuk do të kishin dalë vetë përpara dhe të kishin thënë “Unë dua të marr atë që besoj se më takon dhe do ta marr me punë dhe do ta meritoj”.

 

E fundit mbyllje që kam është se Partia Socialiste nuk është një shoqatë engjëjsh, asnjë parti politike, nuk është asnjë shoqatë engjëjsh e asnjë elitë.

 

Partia Socialiste është një përfaqësi e madhe e shoqërisë me njerëz nga të gjitha rrugët e jetës; me njerëz shumë të shkolluar, me njerëz të pashkolluar, me njerëz në mes të qytetit, me njerëz diku në fund atje në një fshat të humbur, me njerëz të gjitha moshave dhe nuk diskutohet pastaj karaktere e të tjerë, por në shumatoren e të gjithave, Partia Socialiste është absolutisht e vetmja parti politike, dhe e them me plot gojën, që do të thotë është i vetmi organizëm brenda organizmit të Shqipërisë që funksionon për atë organizëm të Shqipërisë dhe kjo është fatkeqësi, por është kështu.

 

Nëse më tregoni një tjetër parti politike e më thoni “Shiko se është dhe ajo atje” hajde e ta diskutojmë, por nuk është aspak rastësi që kudo ku ne kemi qeverisur, kurdo kur ne kemi qeverisur, edhe në kohët kur kemi bërë gabime të mëdha që ishin të lidhura me kohën, me rrethanat, me eksperiencat e të tjerë, ka qenë shumë e qartë që kemi qenë e vetmja parti politike.

 

Kemi bërë shumë të mira, kemi bërë, patjetër, shumë gabime. Si çdo pyll, kemi pasur dhe kemi derrat tanë, është e pashmangshme.

 

Sot na dihet, me të madhe, një tam-tam nga mbrapa që duhet të ndjehemi fajtorë pse drejtësia po nxjerr të palara brenda perimetrit të shtëpisë sonë. Po mirë, si mund të ndjehemi ne fajtorë për këtë kur ne e donim dhe krijuam mundësinë që të ndodhë?

 

Të thuash sot që Shqipëria është më e korruptuar sesa ç’ishte përpara një dekade do të thotë të flasësh totalisht përçart. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, që bazohet tek ajo pasqyrë të dhënash të thjeshta që ju thashë: një vend që ka më shumë se dyfishuar Prodhimin e vet të Përgjithshëm Kombëtar në 10 vjet, nuk mund të jetë si ai që ishte përpara 10 vjetësh.

 

Një vend që ka bërë këto transformime dhe që i ka krijuar shumë më tepër mundësi njerëzve nuk mund të jetë shumë më i korruptuar sesa ç’ishim përpara 10 vjetësh dhe një vend ku sot goditet korrupsioni në nivelet më të paimagjinueshme deri vite më parë, nuk mund të jetë një vend më i korruptuar sesa kur korrupsioni ishte një aferë për njerëz pa mbrojtje, pa miq, pa mbështetje e pa lekë. Ata dënoheshin dhe të marrësh një vend  pas shembjes së komunizmit dhe ta çosh në tryezën e Bashkimit Europian, jo në Shqipëri, por në të gjitha vendet e mëparshme, ka qenë një përpjekje, ndër të tjera, e lidhur pikërisht me luftën kundër korrupsionit, jo se në vendet e Bashkimit Europian dhe në Bashkimin Europian nuk ka korrupsion, por në rastin e vendeve si i yni flitet për strukturë, flitet për shtetbërje, ka mungesë shteti, mungesë institucionesh dhe të ndërtosh institucione nuk është njësoj si të ndërtosh një shtëpi pa leje. Duhet shumë e shumë përpjekje, duhen rrethanat të krijohen, duhen njerëz të bashkohen, duhen shumë yje të vendosen në rresht njëri pas tjetrit që të ndodhë ajo xixa e vetëtimës në qiell dhe ne tre gjera mund të bënim: ose të vazhdonim vazhdimin dhe nuk do flitej kaq shumë për korrupsionin. Të mbanim këmbën e pushtetit mbi pusetën e mbyllur të drejtësisë dhe të vazhdonin të dënoheshin njerëz të pambrojtur ose që për krime më të vogla sesa të atyre që do të vazhdonin të rrinin mbi pusetë. Kjo ishte një. Ne nuk e bëmë këtë.

 

Tjetra mundësi do të ishte që ne ta zgjidhnim këtë me shkop magjik, por shkop magjik nuk ka, nuk e ka zgjidhur asnjeri kurrë, asnjëherë.

 

E treta, ajo që të tjerët nuk e bënë qysh nga ngritja e flamurit të Pavarësisë në 1912 ishte që të tërhiqnim politikën  dhe duart e politikës nga drejtësia dhe të thoshim drejtësia është e pavarur, do na dhembi, do na djegë, s’do na vijë mirë patjetër, por vetëm kështu mund të bëhet.

 

Nuk ka asnjë rrugë tjetër.

 

Nuk mund të jetë korrupsion kur është për kundërshtarë dhe një pisllëk që e mbulojmë brenda shtëpisë, kur është brenda shtëpisë sonë. Dhe ne këtë bëmë dhe jemi shumë krenarë për këtë dhe duhet të gjithë ata që kanë një kontribut për Partinë Socialiste, që nga ata të cilët thjesht mund ta kenë dhënë një herë votën në këto 10 vite, të jenë krenarë për këtë sepse është falë këtij vullneti, është falë kësaj partie, është falë kësaj qasje që kjo po ndodh. Do dojë kohën e vetë, do ketë të përpjetat dhe tatëpjetat e veta, do ketë momentet edhe të zhgënjimeve nga vetë drejtësia, jo për arsye të mira, por ky është një proces pa kthim dhe kjo është një nga bazat themelore pse ne do të ulemi në 2030-tën aty ku e kemi thënë gjithmonë, po s’e ka imagjinuar kush që do të ndodhi në të gjallët tonë, dhe këtë po e bëjmë ne.

Unë do t’iu thosha mirë se aplikuan ata që me të drejtë thonë “ta provojmë njëherë, të dalë ku të dale”, se ka dhe nga ata, s’diskutohet, normale dhe mirë se ka ardhur në Partinë Socialiste kushdo që këtë e sheh si hapin e parë dhe jo si hapin e fundit dhe që ka ardhur jo për dasëm, po ka ardhur dhe për mundësinë që të mos ta ftojë njeri në dasëm fare, por me bindjen që një ditë do jetë në krye të dasmës, duke u imponuar me vlerat e veta, me vullnetin e vet, me punën e vet.

 

Një nga ato të dyja është për secilin prej jush.

 

Unë jam mirënjohës dhe patjetër me shumë respekt, thashë ata që do t’i hynë pak më thellë, mbase do të thonë ç’mu desh që i hyra kësaj pune sepse do fillojnë të lexojnë librin e shtëpisë me zërin e të tjerëve dhe është shumë e vështirë. Nuk është e lehtë. Do fillojnë të dëgjojnë për vete gjëra që as nuk ju ka shkuar mendja se mund të kishin lidhje, jo me veten, por dhe me ndonjë që e kanë shok ose shoqe, të tëra. Por kush nuk nuk është gati të marrë baltën e arenës, nuk ka shans që të dalë gjallë nga arena. Gjallë nga arena pa marrë baltë, dalin vetëm ata që nuk futen në arenë, rrinë spektatorë atje dhe shkojnë në darkë këndojnë nëpër ato klubet mediatike me xhaketa me kuadrata dhe me urrejtje për Partinë Socialiste.

 

Për ne të tjerët është arenë, betejë, baltë dhe përpjekje e përditshme, e përorshme për ato momente që të fal politika, që nuk t’i fal askush tjetër, askund tjetër, asnjë profesion tjetër kur ti sheh se me atë që ti ke në dorë si vendimmarrës, si ligjvënës, si drejtues i një strukture, ndryshon jetën, qoftë dhe të një njeriu. Jo më pastaj të shohësh se si mund të ndryshosh jetën e shumë e shumë njerzve, në shumë e shumë rrethana, për shumë e shumë arsye. Ky është bekimi, por për ta pasur fatin e madh dhe nderin e madh të këtij bekimi duhet të kesh fuqinë e madhe të durosh mallkimin. Mallkimi është përditë, bekimi vjen herë pas here dhe të kujton që je duke bërë gjënë e duhur.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu