Në një seancë të posaçme që zgjati rreth një orë, e që nisi me himnin kombëtar, Kuvendi çeli këtë të hënë sesionin e 7 të legjislaturës së tij të dhjetë.
Elisa Spiropali si kryetarja e re e Kuvendit, nuk ishte risia e vetme e kësaj seance të parë. Dy aleatët e dikurshëm në krye të PD, sot kundërshtar, Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha nuk do të jenë më në karriget ngjitur, me ish kryetarin e demokratëve që bashkë me Alibeajn do të ulen në rreshtin e fundit.
Bashën PD e largoi edhe nga delegacioni i Këshillit të Evropës, duke u zëvendësuar me Albana Vokshin, vendim që Spiropali e njoftoi që në nisjes të seancës bashkë me atë për kreun e ri të grupit parlamentar socialist.
Siç tradita e do, kryetarja e Kuvendit njoftoi mesazhin e ardhur nga kreu i shtetit Bajram Begaj në drejtim të deputetëve, ku u uronte sesion të mbarë, mesazh që në mënyrë të paprecedentë Bardhi dhe ndonjë deputet tjetër demokrat e grisi.
Pikërisht këto sjellje për kryetaren Spiropali nuk duhet të përsëriten me, edhe pse pesimiste se ndryshime mund të ketë, bëri edhe autokritike për sjelljen e mazhorancës.
“Shpesh jemi sjellë si shkak dhe pasojë të njëri-tjetrit, ku mungesa juaj e kontrollit ka sjellë bjerrjen e tolerancës sonë, por rast pas rasti, të dyja bashkë, kanë shkaktuar cënim të cilësisë së vetë Parlamentit, si një pushtet nga i cili buron edhe pushteti ekzekutiv dhe ndikon në të gjithë jetën e vendit. Si Kryetare e Kuvendit, gjykoj se mund të nënvizoj si ftesë e lutje për një mundësi tjetër më shumë. Një ftesë të vjetër, të ripërsëritur për të qenë bashkë në identifikimin e disa prioriteteve që do të duhet të realizojmë e të ndjekim bashkërisht deri në fund të kësaj legjislature”, tha Spiropali.
Gjuhën nuk e ndryshoi kreu i demokratëve Bardhi, që akuzoi se ligjvënësit janë kthyer në noterë të ekzekutivit.
“Nuk ka bërë kjo qeveri dhe ky parlament noter i qeverisë ndonjë punë të mirë që sot të kishim mundësi t’i thoshim “puna e mbarë”. Ky sesion nuk ka për të qenë i ndryshëm nga 11 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës. Vullneti i kësaj mazhorance nuk do të jetë për të bërë punë të mbara, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të interesit publik”, tha Bardhi.
Rivali i tij politik, socialisti Niko Peleshi, teksa ftoi opozitën për bashkëpunim, paralajmëroi një reformë për transparencën.
“Dua të ndaj me ju dhe opinionin publik, mbase për herë të parë, një informacion që i intereson sa parlamentit e sidomos opozitës aq edhe opinionit të gjerë, se qeveria shqiptare po punon për të formuluar një ambicie te re sa i përket transparencës. Për më tepër do të dëgjoni në vijim”, tha Peleshi.
Burime për Report TV thonë se reforma për transparencën do të jetë një punë e përbashkët qeveri-parlament-parti për tu përgjigjur rekomandimeve të raporteve të ndryshme ndërkombëtare, të cilat kanë pasur vërejtje për proceset vendimmarrëse në pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ
Në seancën e parë të këtij sesioni parlamentar mungoi Kryeministri Rama i cili merr pjesë në samitin e Bledit në Slloveni, por edhe ish Kryeministri Berisha tashmë nën arrest prej më shumë se 8 muajsh për aferën Partizani./Shqiptarja.com
yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu