Nga Martin Baron
Ish-redaktori i Washington Post argumenton se pa demokraci, nuk do të ketë shtyp të pavarur dhe pa një shtyp të pavarur, nuk mund të ketë demokraci.

Martin Baron ka punuar si gazetar dhe redaktor gazete për një kohë të gjatë. Ai drejtonte redaksitë e Miami Herald dhe Boston Globe përpara se të merrte drejtimin ekzekutiv të Washington Post në 2013.

yacht hotel sarande

Baron doli në pension 3 vjet më parë pasi kishte udhëhequr redaksitë e drejtuara prej tij drejt 18 çmimeve Pulitzer. Roli i Baron në nisjen e një hetimi për fshehjen e abuzimeve seksuale nga klerikët e Kishes Katolike u portretizua dhe në filmin fitues të çmimit Oscar, Spotlight. Ndërsa la punën në gazetari në fillim të vitit 2021, tani e ndan kohën mes Massachusetts perëndimor dhe Neë York City. Konflikti i Pushtetit është libri i tij i parë.

Artikulli i mëposhtëm është një fragment i redaktuar nga libri i tij i parë, Konflikti i Pushtetit: Trump, Bezos dhe The Washington Post, i cili përshkruan mbulimin novator dhe të vlerësuar me cmime fituese të Washington Post teksa luhatet mes pronësisë së re të gazetës nga Jeff Bezos, themelues i Amazon, dhe zgjedhjës së Donald Trump si president.

Që shtypi të mbajë përgjegjësinë për pushtetin sot, ne duhet të angazhohemi për atë që përbën thelbin tonë moral. Gazetarët e përgjegjshëm duhet të udhëhiqen nga parimet themelore. Midis tyre: duhet të mbështesim dhe të mbrojmë demokracinë. Qytetarët kanë të drejtën e vetëqeverisjes. Pa demokraci nuk do të ketë shtyp të pavarur dhe pa shtyp të pavarur nuk mund të ketë demokraci. Duhet të punojmë shumë dhe me ndershmëri për të zbuluar të vërtetën, duhet t’i tregojmë publikut pa turp atë që mësojmë. Duhet të mbështesim të drejtën e të gjithë qytetarëve për të marrë pjesë pa pengesa në procesin zgjedhor. Duhet të mbështesim fjalën e lirë dhe të kuptojmë se debati i fuqishëm mbi politikën është thelbësor për demokracinë. Duhet të favorizojmë një trajtim të barabartë për të gjithë, nga ligji, por dhe si detyrim moral, të favorizojmë dhënien e mundësive për të gjithë për të arritur atë cka shpresojnë për veten dhe familjet e tyre. I detyrohemi një vëmendje të veçantë njerëzve me më pak me fat në shoqërinë tonë dhe e kemi për detyrë t’u japim zë atyre që ndryshe as nuk do të dëgjoheshin. Duhet të kundërshtojmë intolerancën dhe urrejtjen, dhe të reshtohemi kundër dhunës, represionit dhe abuzimit të pushtetit.
Por ka dhe më shumë në axhendën tonë. Disa mendime: Si profesion kemi nevojë për një udhëheqje të fortë, me parime dhe risi. Na duhen institucione, financat e të cilave janë po aq të qëndrueshme sa vlerat tona, me kapacitetin për të garantuar të ardhmen tonë në treg dhe për t’i bërë ballë sulmeve të vazhdueshme e keqdashëse kundër nesh. Duhet t’i kushtojmë shumë më tepër burime strategjisë ligjore, duke kërkuar rregullisht akses në dokumentet që ata që janë në pushtet kërkojnë t’i fshehin, dhe duhet të mbrojmë në mënyrë më agresive reputacionin tonë në gjykatë, duke shkuar pse jo në ofensivë kundër atyre që shpifin kundër nesh. Duhet të investojmë shumë më tepër burime në raportimin investigativ dhe të adoptojmë mjete të reja që na ndihmojnë ta kryejmë detyrën në mënyrë më efektive.

Në çdo kohë, duhet t’i përmbahemi fort standardeve që tregojnë se ne po e praktikojmë zanatin tonë me nder, tërësisht, me drejtësi, me mendje të hapur dhe me nderim për provat që qëndrojnë edhe mbi opinionet tona. Shkurt, duhet të praktikojmë gazetari objektive.

Duke mbrojtur “objektivitetin” në punën tonë, po ‘notoj’ kundër asaj që është kthyer, për fat të keq, një baticë e frikshme në profesionin tim. Asnjë fjalë nuk duket më e papreferuar sot në mesin e gazetarëve të zakonshëm.

Parimi i objektivitetit ka qenë nën rrethim për vite me rradhë, por ndoshta asnjëherë më egër se gjatë presidencës së Trump dhe pasojave të saj. Disa argumente kryesore janë ngritur kundër tij nga kolegët e mij gazetarë: Asnjë prej nesh nuk mund të pretendojë sinqerisht se është objektiv dhe nuk duhet të pretendojmë se jemi. Të gjithë kemi mendimet tona. Objektiviteti shihet gjithashtu si një sinonim për neutralitetin, ekuilibrin dhe të ashtuquajturin gazetari të dyja palëve domethen “nga njëra anë, por nga ana tjetër”. Pretendimi, sipas këtij këndvështrimi, është se të gjitha pohimet meritojnë peshë të barabartë, edhe kur provat tregojnë se nuk e meritojnë.

Së fundi, kritikët argumentojnë se objektiviteti historikisht ka përjashtuar perspektivat e atyre që kanë qenë prej kohësh ndër më të margjinalizuarit në shoqëri (dhe media): gratë, zezakët, latinët, aziatiko-amerikanët, indigjenët amerikanë, komuniteti LGBTQ+ dhe të tjerë.

Megjithatë, objektiviteti I pastër nuk nënkupton këtë. Ajo që vërtet nënkupton është se: si gazetarë, asnjëherë nuk mund të na ndalet fiksimi se si të arrijmë tek e verteta – ose, për të përdorur një term me më pak pritshmëri, tek “realiteti objektiv”. Për ta bërë këtë nevojitet një mendje e hapur, një metodë rigoroze. Duhet të na bëjë përshtypje ajo që nuk dimë jo ajo që dimë apo që mendojmë se dimë. Nuk duhet ta fillojmë punën tonë me përgjigjet gati; duhet t’i kërkojmë ato. Duhet të jemi dëgjues bujarë dhe nxënës të etur. Duhet të jemi të drejtë. Dhe me këtë, përfshij të qenit i drejtë me publikun: raportoni drejtpërdrejt dhe pa frikë atë që zbulojmë se është fakt.

Ideja e gazetarisë objektive ka origjinë të pasigurt. Por mund të gjurmohet në fillim të shekullit të njëzetë, pas Luftës së Parë Botërore, kur demokracia shfaqej e rrezikuar dhe propaganda u shndërrua në një instrument të lëmuar për manipulimin e opinionit publik dhe shtypit gjatë luftës – dhe, në Shtetet e Bashkuara, edhe për thellimin e dyshimeve rreth njerëzve të margjinalizuar që atëherë konsideroheshin gjerësisht si jo plotësisht amerikanë.

Gazetari dhe mendimtari i njohur Walter Lippmann ndihmoi për t’i dhënë vlerë këtij termi kur shkroi Liberty and the News, (Liria dhe Lajmet) botuar në vitin 1920. Në atë vëllim të hollë, ai përshkroi një kohë që ngjan jashtëzakonisht me Shtetet e Bashkuara sot. “Ka kudo një zhgënjim që ngjall gjithnjë e më shumë zemërim për shtypin, një ndjenjë në rritje e të qenit i hutuar dhe i mashtruar,” shkroi ai. Sulmi ndaj lajmeve ishte “i qetë, në një konfuzion të paimagjinueshëm”. Publiku vuajti nga “mungesa e provave”. Ai ishte i shqetësuar pasi institucionet demokratike po zhvendoseshin nga themelet nga mjedisi mediatik i kohës.

Lippmann në fakt nuk supozoi se gazetarët mund të cliroheshin nga opinionet personale. Në fakt hodhi idenë pikërisht për të kundërtën: gazetarët ishin po aq subjektivë ndaj paragjykimeve sa kushdo tjetër. Ndaj propozoi një metodë “objektive” për të shkuar përtej: Gazetarët duhet të ndjekin “një hetim të paanshëm të fakteve, në mënyrë sa më njerëzore që të të jetë e mundur”.

Gazetarët presin në mënyrë rutinore objektivitet nga të tjerët. Si gjithë të tjerët, duam gjyqtarë objektivë. Duam juri objektive. Duam që oficerët e policisë në vijën e parë të jenë objektivë kur kryejnë arrestime dhe detektivët të jenë objektivë në vlerësimin e provave. Duam që prokurorët të vlerësojnë çështjet në mënyrë objektive, pa paragjykime apo axhenda paraekzistuese. Pa objektivitet, nuk mund të ketë barazi në zbatimin e ligjit, siç kanë treguar shumë shpesh rastet e abuzimeve të neveritshme.

Duam që mjekët të jenë objektivë në diagnostikimin e gjendjes mjekësore të pacientëve të tyre, të pakontaminuar nga fanatizmi ose paragjykimet pa bazë. Duam që studiuesit dhe rregullatorët në fushën e mjekësisë të jenë objektivë në përcaktimin nëse ilaçet e reja mund të funksionojnë dhe nëse ato mund të konsumohen në mënyrë të sigurt. Duam që shkencëtarët të jenë objektivë në vlerësimin e ndikimit të kimikateve në tokë, ajër dhe ujë. Objektiviteti I profesionistëve të shkencës dhe mjekësisë është në qendër të besimit tonë për ushqimin që hamë, ujin që pimë, ajrin që thithim dhe medikamentet që marrim.
Në biznes, kërkojmë gjithashtu objektivitet. Aplikantët për kredi bankare apo dhe karta krediti duhet të shqyrtohen mbi kritere të vlefshme, jo mbi paragjykime rreth races, përkatësisë etnike ose faktorëve të tjerë po aq të parëndësishëm.

Objektiviteti në të gjitha këto fusha, dhe të tjera, nuk kundërshtohet nga gazetarët. Ne e pranojmë atë, madje insistojmë për të teksa kërkojmë të ekspozojmë shkeljet. Gazetarët duhet të insistojnë në këtë drejtim dhe për veten e tyre. Kjo është ajo që publiku pret nga ne. Dhe me të drejtë. Nëse shpresojmë t’u kërkojmë me efikasitet llogari të fuqishmëve, duhet të tregojmë se jemi objektivë në mënyrën se si kryejmë punën tonë.

Përhapja me shpejtësinë e dritës e keqinformimit, dezinformimit apo teorive konspirative sot e bën edhe më thelbësor por dhe më të vështirë kërkimin e së vërtetës. Përpjekjet për të mashtruar janë më të shumta, më të sofistikuara, burimet dedikuar mashtrimit janë më të bollshme. Fusha e gazetarisë duhet të kundërpërgjigjet duke u bërë më hulumtuese në vetë natyrën e saj.

Raportimi investigativ ka qenë objektivi i gatshëm për uljen e kostove në një industri ku burimet janë të pakta. Është i shtrenjtë, kërkon shumë kohë, nuk mund të garantojë rezultate (dhe as lajm) dhe mund të mos përshpejtojë trafikun dixhital që është një monedhë e çmuar në epokën e internetit. Megjithatë, kur gazetarët heqin dorë nga roli i tyre si roje, inkurajohet sjellja e paskrupullt. Lexuesit amerikanë e tregojnë përmes abonimit sat ë interesuar janë për zbardhjen e cdo keqberjeje.

Organizatat e lajmeve gjithnjë do të kenë nevojë për staf adekuat, aftësi më të mëdha teknike dhe pajisje teknologjike të fundit për të depërtuar në artin e errët, të angazhuar gjithnjë e më shumë për të përhapur në cast gënjeshtra dhe dyshime të pabaza me qëllim përfitim politik apo komercial. Do të duhet të bashkëpunojnë në mënyrë më efektive mes tyre dhe me specialistë të pavarur që kanë ekspertizë në inteligjencën artificiale dhe manipulimin e rrjeteve sociale. Fabrikimet e çdo lloji, përfshirë imazhet vizuale, në mënyrë të pashmangshme do të bëhen më të shpeshta, të rrezikshme dhe sfiduese për t’u zbuluar dhe hedhur poshtë.

Ndërsa raportimi investigativ po lulëzon në disa qoshe të gazetarisë, veçanërisht në nivel kombëtar, në të tjera ai po vdes nga uria. Mediat lokale vazhdojnë të shohin se burimet e tyre kryesore të të ardhurave po shterojnë, duke i lënë me burime të dobëta për të financuar gazetarinë ambicioze të çdo lloji. Shumë gazeta lokale janë marrë përsipër nga firma private. Këta pronarë duken të vendosur të mjelnin pronat e tyre në çdo qindarkë të fundit, pa marrë parasysh interesin publik. Gazetaria investigative është sërish e kërcënuar.

Në nivel local e ardhmja e raportimit investigativ varet shumë nga fakti nëse organizatat jofitimprurëse të gazetarisë marrin mbështetjen e duhur nga lexuesit dhe filantropët, si dhe nga bashkëpunimet midis organizatave kombëtare të lajmeve dhe atyre lokale. Organizata investigative jofitimprurëse kombëtare ProPublica ka krijuar qendra raportimi në të gjithë vendin dhe ka bashkuar forcat me redaksitë lokale për gazetarinë e përgjegjshme, me rezultate mbresëlënëse. Neë York Times njoftoi në prill 2022 se ish-redaktori i saj kryesor, Dean Baquet, do të drejtonte një program bursash për të promovuar raportimin investigativ lokal, me projekte të ofruara pa pagesë për mediat lokale të shkruara, dixhitale dhe audiovizive.

“Rënia e raportimit investigativ lokal është një tragjedi kombëtare,” deklaroi në atë kohë botuesi i Neë York Times A. G. Sulzberger. “Kjo do të thotë që gjithnjë e më pak njerëz në mbarë vendin kanë akses në informacione thelbësore rreth komunitetit të tyre – rëndom askush nuk ndjek mbledhje të bordit të shkollës; askush nuk u hedh një sy dokumenteve gjyqësore; ose askush nuk hedh dritë mbi rëndësinë e zhvillimeve që ndoshin ditë pas dite në provinca, qytete apo shtete. Asnjë mbikëqyrës për tu siguruar që pushtetet vendore janë të ndershme. . . . Si rezultat, është pothuajse e sigurt që korrupsioni, padrejtësia dhe keqbërjet vazhdojnë të kalojnë pa u vënë re.”/Carnegie.org

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu